Raporte dhe Opinione

Konventa Kuadër e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare” është një akt shumë i rëndësishëm, për njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Kjo konventë u nënshkrua nga Republika e Shqipërisë në 29.06.1995. Ajo u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.8496 datë 3.06.1999, dhe pasi u depozituan instrumentet e ratifikimit në 28.09.1999, hyri në fuqi në 1.01.2000.

Konventa Kuadër e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare” është instrumenti i parë shumëpalësh, juridikisht i detyrueshëm me objekt mbrojtjen e pakicave. Qëllimi i saj është përcaktimi i parimeve juridike që shtetet marrin përsipër për të siguruar mbrojtjen e pakicave kombëtare, por duke patur një karakter programor, ajo shërben edhe si një kornizë për trajtimin e situatave dhe problemeve të ndryshme të parashtruara në shtete të veçanta, duke u lënë këtyre të fundit një marzh veprimi sipas rrethanave konkrete.

Standartet e hartuara nga Këshilli i Evropës për të monitoruar progresin e bërë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave përdoren nga Bashkimi Evropian si një nga prioritetet e proçesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor,

Sistemi raportimi i krijuar në bazë të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare monitoron mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare.

Dispozitat e Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare përmbajnë standarte dhe parime të vecanta për mbrojtjen e pakicave që palët kontraktuese janë të detyruara ti zbatojnë në shkallë vendi përmes miratimit të masave të duhura legjislative dhe administrative. Parimet dhe standardet bazë janë:

  • Neni 1 i Konventës thekson se “mbrojtja e pakicave kombëtare përbën pjesë integrale të mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”
  • Në Nenin 3 të Konventës është e garnatuar e drejta e vetë-identifikimit ku sqarohet se “çdo person që i përket një pakice kombëtare ka të drejtë të zgjedhë lirisht për tu trajtuar apo jo si i tille”
  • Neni 4 ndalimi i diskriminimit “palët kontraktuese janë të detyruara të promovojnë trajtimin e barabartë të personave që ju përkasin pakicave në të gjitha aspektet e jetës së tyre”.
  • Nenet 5 dhe 6 të Konventës theksojnë mbrojtjen e identitetit kulturor, gjuhësor dhe fetar si dhe promovimin e tolerancës dhe dialogut ndërkulturor .
  • Nenet 7 dhe 8 të konventës nënvizojnë lirinë e shprehjes, lirinë e grumbullimeve paqësore, lirinë e organizimit, dhe lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit fetar. Palët kontraktuese duhet të sigurojnë që pakicat të gëzojnë të drejtën për të manifestuar fenë dhe besimin e tyre si dhe për të krijuar organizata dhe shoqata fetare.
  • Neni 9 i konventës nënvizon aksesin në media. Palët kontraktuese duhet të marrin masat e nevojshme për të siguruar aksesin e personave që ju përkasin pakicave në media dhe në të njëjtën kohë nuk duhet të pengojnë krijim dhe përdorimin e media-s nga pakicat kombëtare.
  • Nenet 10 dhe 11 të Konventës nënvizojnë përdorimin e gjuhëve të pakicave. Palët kontraktuese duhet tu njohin pakicave kombëtare të drejtën e përdorimit të gjuhëve të tyre në jetën private dhe publike, në arsim, media dhe kontaktet zyrtare si dhe të drejtën e përdorimit të emrave dhe të trguesve topografikë.
  • Nenet 12, 13 dhe 14 të Konventës theksojnë të drejtat arsimore. Palët kontraktuese duhet të sigurojnë që sistemi kombëtar i arsimit tju lejojë pakicave kombëtare të mesojnë në gjuhën e tyre, si dhe të udhëzohen në gjuhën e tyre në të gjitha nivelet arsimore.
  • Ndërsa neni 15 nënvizon të drejtën për pjesëmarrje dhe përfaqësim efektiv. Palët kontraktuese duhet të sigurojnë pjesëmarrjen e pakicave kombëtare në të gjitha aspektet e jetës publike, si dhe në administratën qëndrore dhe lokale.
  • Nenet 17 dhe 18 theksojnë bashkëpunimin ndërkufitar. Palët kontraktuese nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin e pakicave kombëtare me individë që jetojnë në vende të tjera dhe me të cilët ndajnë një identitet të përbashkët etnik, kulturor, gjuhësor ose fetar. Madje, ky lloj bashkëpunimi duhet të inkurajohet.

Zbatimi i dispozitave të mësipërme varet nga vullneti i shteteve të cilat janë anëtare të Konventës,

Për të monitoruar implementimin e parimeve të Konventës kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare u konsiderua i domosdoshëm formimi i Komitetit Këshillimor, i cili do të shqyrtojë raportet e paraqitura nga shtetet anëtare dhe do të vlerësojë përshtatshmërisë e masave të marra  në mënyrë që të konstatohet shkalla e harmonizmit të standarteve kombëtare me ato të Konventës dhe të përgatitet opinioni final i Keshillit mbi angazhimet e marra nga shtetet.

Ky mekanizëm përdoret nga Komisioni Evropian për të pasqyruar prioritetet mbi mbrojtjen e pakicave kombëtare në raportet e progresit si kërkesa që duhen realizuar nga vendet aspiruese në BE. Ratifikimi i Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe pajtueshmëria me dispozitat dhe standartet e saj janë kërkesa thelbësore për vendet (potenciale) kandidate në mënyrë që të avancojnë me anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Në linkun e mëposhtëm gjeni një informacion të detajuar mbi gjithë raportet e përgatitura nga Shqipëria, opinionet e Këshillit  dhe Rezolutat në kuadër të monitorimit të progresin të bërë nga vendi jonë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave si një nga prioritetet e proçesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian:

https://www.coe.int/en/web/minorities/albania

https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/enlargement-policy/negotiations-status/albania_en