Historiku dhe Kompetencat

Ekzistenca e pakicave kombëtare në Shqipëri është një realitet sa historik aq edhe aktual, të cilit i është kushtuar një vëmendje e veçantë për të konkretizuar një marrëdhënie të mirë, ku shprehet toleranca, bashkëjetesa dhe mirëkuptimi mes pjestarëve të pakicave përkatëse dhe pjesës tjetër të popullatës. Ky kujdes i kultivuar në mentalitetin e shoqërisë shqiptare, me elemente diversiteti si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, ka reflektuar një bashkëjetesë harmonike dhe tolerante.

Anëtarësimi i Shqipërisë në një sërë organizatash dhe organizmash ndërkombëtarë me fushë veprimtarie mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe ratifikimi, apo nënshkrimi i një numri të konsiderueshëm aktesh ndërkombëtare që synonin njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht në referencë të pakicave kombëtare, flasin për një angazhim serioz institucional. Që prej 13 Korrikut të vitit 1995, Shqipëria është vend anëtar i Këshillit të Europës.

Një akt shumë i rëndësishëm, për njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave është Konventa Kuadër e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”. Kjo konventë u nënshkrua nga Republika e Shqipërisë në 29.06.1995. Ajo u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.8496 datë 3.06.1999, dhe pasi u depozituan instrumentet e ratifikimit në 28.09.1999, hyri në fuqi në 1.01.2000.

Zhvillime pozitive janë evidentuar edhe në kuadër të plotësimit të kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të gjithë procesit në vazhdim për anëtarësimin e vendit në BE, ndërkohë që si një hap i rëndësishëm institucional mund të vlerësohet ngritja e Komitetit Shtetëror të Minoriteteve  me VKM nr 127 datë 11.03.2004 “Për krijimin e Komitetit Shtetëror të Minoriteteve”, i krijuar për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë. Mbështetur në këtë Vendim nga viti 2004-2017 në RSH  njiheshin zyrtarisht minoritetet etnike kombëtare ku përfshiheshin minoriteti Grek, minoriteti Maqedonas dhe minoriteti Serbo-Malazez, si dhe minoritetet etno gjuhësore, ku përfshiheshin minoriteti Vllah dhe minoriteti Rom.

Komiteti për Pakicat Kombëtare është krijuar me Ligjin 96/2017 “Për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në  Republikën e Shqipërisë”.  Komiteti ka qëllim sigurimin e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe të interesave të pakicave kombëtare në RSH. Ai është institucion qëndror në varësi të Kryeministrit dhe përbëhet nga Kryetari, Nënkryetari dhe 9 anëtarë ( një anëtar për cdo pakicë të njohur zyrtarisht nga Republika e Shqipërisë).

Pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë janë pakicat greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare.

Komiteti për Pakicat Kombëtare është organ konsultativ i qeverisë në lidhje me cështjet dhe problematikat që kanë të bëjne me të drejtat e pakicave kombëtare në Shqipëri. Komiteti ka të drejtë t’i propozojë organeve shtetërore çështje të rëndësisë së veçantë për pakicat, veçanërisht përsa i takon zbatimit të detyrimeve kushtetuese, si dhe të akteve të tjera të veçanta që rregullojnë të drejtat dhe liritë e personave që u përkasin këtyre pakicave. Gjithashtu ka të drejte t’i propozojë organeve të pushtetit, qendror dhe vendor masat e mundshme dhe konkrete për përmirësimin e nivelit te të drejtave të pakicave kombëtare.