Në datën 30 qershor,në Livadhja të bashkisë Finiq u organizua një manifestim kulturor i 9 pakicave kombëtare, një veprimtari e organizuar nga Agjensia AJMMI me mbështetje të Ministrisë së Kulturës dhe Komiteti Për Pakicat Kombëtare.

Në këtë aktivitet mori pjesë Kryetarja e Komitetit për Pakicat Kombëtare, znj. Konstantina Beziani dhe anëtarët e pakicave kombëtare greke, maqedonase, arumune (vllahe), rome, egjiptiane, boshnjake dhe serbe. Gjithashtu moren pjesë edhe përfaqësues të prefekturës së Qarkut Vlorë, diplomatë të huaj të akredituar në vendin tone si zëvendësambasadorja e Greqisë në Tiranë Valia Pandarvani dhe konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Dimitris Zaharidhis,  Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi z. Robert Gajda, artistë popullorë, intelektualë, banorë vendas,  etj,.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e Komitetit, znj. Konstantina Beziani u shpreh se “një manifestim i tillë kulturor i pakicave kombëtare në Shqipëri ishte i pari i këtij lloji dhe përfshiu veç të tjerash një konferencë kombëtarë ku u prezantuan veçoritë e sotme të pakicave dhe sfidat me të cilat ato përballen. Një ekspozitë e vlerave etnokulturore të minoritetit etnik grek, një koncert i pasur artistik me folkun, këngët e vallet e mrekullueshme të pakicave greke, si dhe një panair i kulinarisë tradicionale të amvisave të fshatrave të Bashkisë Finiq. Shqipëria është bërë më e pasur me kontributet dhe perlat e krijuara nga të gjitha minoritetet”, tha Kryetarja Beziani.