Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Ky akt bazë normativ për funksionimin e shtetit përbën garancinë kryesore për njohjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare në vend. Ajo sanksionon parimet e njohura universale të të drejtave të njeriut dhe “pluralizmin, identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kombëtare, bashkëjetesën fetare, si dhe bashkëjetesën dhe mirëkuptimin e shqiptarëve me pakicat” (neni 3), e konsideron si bazë të shtetit shqiptar. Ajo i cilëson të drejtat dhe liritë themelore të njeriut si “të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe që qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik” (neni 15), duke sanksionuar kështu barazinë pa asnjë lloj diskriminimi të të gjithë shtetasve që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, shqiptarë,  pjestarë të pakicave kombëtare, të huaj apo persona pa shtetësi, si në gëzimin e të drejtave dhe lirive themelore, ashtu dhe në zbatimin e detyrimeve që lindin nga kushtetuta dhe ligje të tjera. Parimet që lidhen me liritë dhe të drejtat politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, të sanksionuara në aktet e ndryshme ndërkombëtare, janë bërë pjesë përbërëse e tërë korpusit kushtetues e ligjor shqiptar. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i konsideron pakicat kombëtare pjesë të pandare të shoqërise shqiptare. Ajo u garanton atyre barazi të plotë para ligjit në ushtrimin e lirive dhe të drejtave të tyre dhe u njeh të drejtën “të shprehin lirisht, pa u ndaluar as detyruar, përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore”, si dhe të drejtën “për t’i ruajtur e zhvilluar ato, të mësojne dhe të mësohen në gjuhën e tyre amëtare, si dhe të bashkohen në organizata dhe shoqata për mbrojtjen e interesave dhe identitetit të tyre”.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë