Pakica Kombëtare Malazeze

Pakica kombëtare malazeze është një pakicë që ka jetuar gjithmonë në territorin e Shqipërisë dhe kanë identitetin e tyre etnik dhe kulturor. Kjo pakicë është e përqëndruar kryesisht në zonën e Shkodrës dhe rrethinat e saj. Këtu përfshihen edhe shtetas të Shqipërisë të cilët janë dëbuar nga Podgorica në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar nga shkëmbimi i popullsisë me marrëveshje ndërkombëtare midis  Mbretërisë së atëhershme Serbo-Kroate-Sllovene dhe Shqipërisë dhe tani jetojnë kryesisht në Shkodër.

Gjithashtu pjesë e pakicës malazeze janë edhe emigrantët politikë të ardhur pas Luftës së 2-të botërore për shkak të prishjes së marrëdhënieve midis Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik dhe janë të shpërndarë në qytetet kryesore të Shqipërisë si p.sh. Tirana, Elbasani, Durresi, Fieri, Korça etj.

Sipas censusit të vitit 2011 në Republikën e Shqipërisë jetojnë 366 qytetarë shqiptarë me origjinë malazeze. Pakica kombëtare malazeze ka dhënë gjithmonë një kontribut të shquar në shoqërinë shqiptare dhe nga kjo pakicë kanë dalë figura të spikatura në fushën e arsimit, kulturës, shkëncës, sporteve etj.