HAPET THIRRJA PËR PROJEKT-PROPOZIME
“RUAJTJA DHE PROMOVIMI I ARTIT, KULTURËS, ARTIZANATIT TRADICIONAL DHE TRASHËGIMISË KULTURORE PËR PAKICAT KOMBËTARE NË SHQIPËRI”
Komiteti për Pakicat Kombëtare në mbështetje të politikave të tij, programit vjetor 2023 “Për pjesëmarrje në procedurë konkurrimi për financim me grante”, si dhe VKMsë 769 datë 15.12.2021 për “Kriteret e mbështetjes së nismave dhe projekteve që synojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, dhe kriteret e përzgjedhjes për financimin dhe administrimin e fondit për pakicat kombëtare” hap thirrjen për projekt propozime për vitin 2023 nën moton “E ardhmja është në origjinë”.
Kjo thirrje e Komitetit të Pakicave Kombëtare synon të mbështesë financiarisht me fonde publike projekt-propozime të paraqitura nga organizatat e shoqërisë civile,(të cilat janë të regjistruara sipas ligjit,ushtrojnë veprimtari sipas objektit të përcaktuar në statutin e tyre dhe disponojnë NIPT); si dhe individë, persona fizikë të regjistruar në QKB, që kanë në objektin e ushtrimit të aktivitetit mbrojtjen promovimin mbështetjen e të drejtave të pakicave kombëtare.
Gjithashtu kusht pjesëmarrje është që të kenë në objektin e ushtrimit të aktivitetit (për personat fizikë) apo në statutin e tyre (për personat juridikë dhe organizatat jofitimprurëse) mbrojtjen, promovimin, mbështetjen e të drejtave të pakicave kombëtare.
Theksojmë se Komiteti për Pakicat Kombëtare në rolin e autoritetit financues mbështetet në parimet e mëposhtme:
- a) Lirinë e pjesëmarrjes e të konkurimit;
b) Mosdiskriminimin e trajtimin e barabartë;
c) Transparencën e procedurave dhe të vendimmarrjes, duke u ofruar të gjithë kandidatëve të dhënat e procedurës përkatëse;
ç) Përputhshmërinë me objektivat e grantit e me efektivitetin e përdorimit të burimeve, në bazë të sistemit të konkurrimit dhe të kritereve, që mundësojnë vlerësimin e projektpropozimit dhe të specifikimeve teknike e financiare për përzgjedhjen e shpërndarjen e grantit;
d) Mungesën e prapaveprimit, duke përjashtuar mundësinë e shpërndarjes së fondeve për veprimtari tashmë të realizuara në datën e vendimmarrjes;
dh) Paanshmërinë e shqyrtimit e të vendimmarrjes dhe parandalimin e konfliktit të interesave;
e) Përjashtimin e mbivendosjes, që nënkupton shmangien e financimit të së njëjtës veprimtari për të njëjtin interes konkret, më shumë se një herë, gjatë një viti fiskal.
Projekt-propozimet që do të paraqiten nën prioritetin e thirrjes “Ruajtja dhe promovimi i artit,kulturës,artizanatit tradicional dhe trashëgimisë kulturore për pakicat kombëtare në Shqipëri” duhet t’i përmbahen kritereve të shpallura në faqen zyrtare të Komitetit të Pakicave Kombëtare në mbështetje të politikave të tij si dhe VKM Nr.769 datë 15.12.2021 për “Kriteret e mbështetjes së nismave dhe projekteve që synojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, ruajtjen dhe promovimin e identitetit të tyre të dallueshëm kulturor, etnik, gjuhësor, tradicional e fetar dhe kriteret e përzgjedhjes për financimin dhe administrimin e fondit për pakicat kombëtare”
Thirrja për projekt-propozime e Komitetit për Pakicat Kombëtare për vitin 2023 hapet në datën 9 MARS 2023 deri në 26 PRILL 2023, ORA 14.00
Projekt propozimet duhet të dorëzohen në zyrën e protokollit të Komitetit për Pakicat Kombëtare brenda datës së caktuar më sipër.
Është mjaft e rëndësishme të theksohet se projektet duhet të synojnë bashkëveprim dhe bashkëpunim me sa më shumë pakica kombëtare që jetojnë në RSH në mënyrë që të shpalosen vlerat e diversitetit kulturor dhe të përcillet fryma e bashkëjetesës harmonike në shoqërinë shqiptare.
Komisioni i vlerësimit të projekt- propozimeve, krijohet me urdhër të Kryetarit të Komitetit për Pakicat Kombëtare. Vlerësimi mbështetet në përputhjen e projekt-propozimit të paraqitur nga kandidati aplikues në procedurat e konkurrimit për financime me grante me qëllimin e organizatës/kandidatit dhe programin që zbaton, në kapacitetet e kandidatit, në efektshmërinë e aktiviteteve, në pritshmërinë dhe koston e tyre.
Afati për vlerësimin e projekt propozimeve dhe shpalljen e rezultateve është jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga afati i përcaktuar në dokumentet e konkurrimit për dorëzimin e projekt-propozimeve. Kandidatët do të njoftohen brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e përfundimit të vlerësimit të rezultateve të konkurrimit.
Çdo njoftim dhe komunikim do të bëhet përmes faqes zyrtare të Komitetit të Pakicave Kombëtare www.pakicatkombetare.gov.al si dhe ne adresë elektronike: info@pakicatkombetare.gov.al
Lista e dokumenteve për aplikim është si më poshtë:
Aneksi 1 Udhezuesi i Granteve 2023
Aneksi 2 Formulari i Aplikimit 2023
Aneksi 3 Tabela per kostot financiare te projektit 2023
Aneks 4 Tabela e aktiviteteve 2023
Aneks 5 Lista e dokumenteve 2023
Aneksi 6 Vleresimi dhe kriteret ne perzgjedhjen e kandidateve 2023