Mbështetur në VKM 769 datë 15.12.2021 për “Kriteret e mbështetjes së nismave dhe projekteve që synojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, ruajtjen dhe promovimin e identitetit të tyre të dallueshëm kulturor, etnik, gjuhësor, tradicional e fetar dhe kriteret e përzgjedhjes për financimin dhe administrimin e fondit për pakicat kombëtare” thirrja për projekt-propozime e Komitetit për Pakicat Kombetare  për vitin 2024, qëndroi e hapur nga data 20 shkurt 2024 deri në datën 5 prill 2024.

 

Thirrja mbështeti projekte dhe veprimtari që nxisin, ruajnë dhe promovojnë vlerat e trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare në RSH të tilla si; Krijimi i veshjeve tradicionale të pakicave kombëtare, Përgatitja e 4 veshjeve/kostumeve për secilën nga pakicat kombëtare; aktivitete kulturore dhe artistike; festivale, shfaqe të artit skenik bashkëkohor, të arteve pamore; publikime në kuadrin e promovimit të artit dhe trashëgimisë të pakicave kombëtare të tilla si studime mbi një karakteristikë/veçori/tipar të pakicave kombëtare, albume artistike, albume fotografike, mbi trashëgiminë kulturore etj;

 

Fondi i Pakicave Kombëtare në total ishte 4 mln lekë përcaktuar kjo me Ligjin Nr. 84/2022 “Për buxhetin e vitit 2024”. Në institucionin e Komitetit për Pakicat Kombetare u paraqitën në total 13 projekt-propozime.  Komisioni i Vleresimit pjesë e të cilit ishte dhe një përfaqësues i shoqerisë civile, mbështetur në VKM 769 datë 15.12.2021 mbi “Fondin për pakicat kombëtare” Kreu II, Pika 8/c, gjatë vlerësimit përzgjodhi projektet, që plotësonin kriteret e vendosura sipas Drejtimeve të Thirrjes dhe Udhëzuesit përkatës.