Në mbështetje të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të vendimit nr.286, datë 10.5.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e procedurave të përzgjedhjes së kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të Komitetit për Pakicat Kombëtare”, bëhet njoftimi për aplikim për përzgjedhjen e anëtarit të Pakicës Kombëtare Serbe të Komitetit për Pakicat Kombëtare.
Procedurat e hapura publike të konkurrimit bëhen nga Kryeministria, bazuar në pikën 4, të nenit 20, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”.
Shpallja për aplikim do të jetë e hapur për një afat 30-ditor.
Kandidati për anëtar i KPK-së duhet të plotësojë këto kritere të posaçme:
- a) Të njohë gjuhën e pakicës kombëtare përkatëse (vetëm për ato pakica kombëtare që kanë gjuhën e tyre);
- b) Të ketë eksperiencë pune jo më pak se 5 (pesë) vjet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
- Kërkesë për aplikim;
- Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;
- Mbështetje, me rekomandim nga të paktën 1 shoqatë të regjistruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.8788, datë 7.5.2001, “Për organizatat jofitimprurëse”, të ndryshuar, që në statutin e saj ka të përcaktuar si objekt të veprimtarisë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicës kombëtare përkatëse, sipas përcaktimit në pikën 2, të nenit 3, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”;
- Kopje e letërnjoftimit;
- Dëshmia e penalitetit;
- Curriculum vitae në gjuhën shqipe (secila faqe e nënshkruar);
- Dokumente të diplomimit (të noterizuara) si dhe dokumente të përvojës në fushat e kërkuara;
- Dokument që të provojë njohjen e gjuhës së pakicës që do të përfaqësojë (vetëm për ato pakica kombëtare që kanë gjuhën e tyre);
- Kandidatët, individualisht: mbështetje, me rekomandim, nga të paktën 5 (pesë) individë, që janë personalitete me kontribute të pakicës kombëtare përkatëse në Republikën e Shqipërisë;
- Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;
- Formular të aplikimit (të plotësuar e të nënshkruar) për informim për zyrtarët përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta, në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
(Deklarimi i rremë sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme e konkurrimit dhe përgjegjësi penale, sipas legjislacionit në fuqi.)
Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 11 prill 2024.
Dokumentet e aplikimit për anëtar të Komitetit të Pakicave Kombëtare të dorëzohen në adresën, si më poshtë vijon:
Adresa: Komiteti për Pakicat Kombëtare
Rruga e Durrësit, nr.27
Tiranë, Shqipëri
Tel.: 00355 4 22 56 843